Kujesta komuniste by Jasna Koteska - in Albanian (written 2008, tr. 2010)


Jovan Koteski Jasna Koteska
2001 
Trio
2007


Published in: Goethe.de (link)
Translated from Macedonian into Albanian by Milena Selimi.





KUJTESA KOMUNISTE
Jasna Koteska

EEse e shkrimtares maqedone Jasna Koteska përkthyer nga Milena Selimi.

Jovan Koteski
Numra për krahasim
Fëmijëve të mi, Vasil dhe Jasna
Në kohën e vuajtjes së dënimit
Numri im i burgut ishte: 6412
Në “Iliadën” e Homerit
Vargu 6412 thotë:
“Për gabimin e shëmtuar
Të babës suaj, tani do të paguani ju”.
Nganjëherë gjërat
Në kohë dhe në hapësirë
Rimojnë dhe pa vullnetin tonë.
Gjë e mundshme.
(Nga vëllimi “Prushi i gjallë, 1990)

Vite të tëra, këto vargje të babait tim i kam lexuar si një gabim. Dosja e tij ka patur numrin 5622, që do të thoshte se numri 6412 aspak nuk mund të ishte i vërtetë (i saktë). Kur e publikova për herë të parë në një revistë analizën e dosjes së tij “Jovan Koteski, Dosje 5622”, numri i dosjes mbeti në titull, me siguri si një përpjekje e pandërgjegjshme e imja t’i shmangej thirrjes për një dialog homerik fatal, që ato vargje paralajmëronin.

Ajo që më “jepte dorë të lirë” mua ishte njëkohësisht fakti se babai im nga ana tjetër mund të pranonte vetëm atë përgjigje të vetme që unë mund të jepja. Madje, gjatë punës mbi këtë libër unë kuptova menjëherë se numri për të cilin fliste im atë nuk kishte të bënte me dosjen, por me burgun. Ishte ky momenti kur unë, në të kundërt, vargun e fundit të poezisë, për herë të parë e konsiderova si të vetmin të mundshëm.

Për emocionet që mbetën në një autobus


Babai im ishte poet. Më kishin thënë se një profesion i tillë nuk ekziston. Babai im ishte për mua dashuria, gëzimi dhe krenaria ime. Megjithatë nuk ka rrugë të fëmijërisë sime, të cilën unë të mos e urrej. Tani banoj në pjesën tjetër të qytetit dhe çdo vajtje në rrugën Karposh 4 më shkakton depresion. Nuk mbaj mend as edhe një rrugë të fëmijërisë sime, ku, kapur pas dorës së babait sim, të mos jemi kthyer tri herë mbrapsht, me kërkesë të tij. Kur nuk kërkonte ai, kërkoja unë. Prind dhe fëmijë, ne ishim njësh. Por kjo nuk është biografi për babain tim. Nga të gjithë njerëzit e planetit ne më pak njohim prindërit tanë, kjo është ajo dialektika Hegeliane dhe do të ishte mëkat të thuhej e kundërta. Im atë, shyqyr Zotit e gjeti lirinë e tij, të paktën në vdekje. Nga të gjithë, madje edhe nga fëmijët e vet. Babai im donte të kujtohej nga brezat me poezitë e tij. Ato janë biografia e tij.

Këto pak rreshta janë të mijat. Babain tim e morën po atë mëngjes kur unë hyra në gjimnazin me emrin fatal “Josif Broz Tito”. I paraqita dokumentat e mija së bashku me shoqet, të gjithë ishim me nota maksimale, kurse unë, në dallim nga të tjerët kisha dhe shumë diploma. Ndryshe nga të tjerët, emri im nuk ishte në listë. Ishte, por poshtë vizës. Me 2 shtator të vitit 1985, në orën gjashtë të mëngjesit, kur po më përcillte për në orën time të parë të shkollës, më pak se një orë, para se ta arrestonin, babai po më ngushëllonte duke thënë se me siguri është bërë ndonjë gabim, se është e pamundur të më kenë harruar, me siguri do të më pranojnë. Dhe, vërtet, emri im u fshi nga lista ku isha dhe u shtua sipër vizës. Vrapova në shtëpi për t’ia dhënë lajmin e gëzuar babit. Por ai nuk ndodhej më aty. Unë isha nxënësi i 35-të në klasën, që mbante 30 veta. Atëhere nuk mendoja se isha e tepërt, si edhe ata katër të tjerët. Asnjëherë nuk kuptova çfarë mëkati bashkonte pesëçen tonë të tepërt. Gjatë vitit të gjimnazit arrita të marr mjaft diploma. Në këto vite e fshiva nga kujtesa ngjarjen e harrimit të emrit tim dhe asnjëherë nuk më shkoi ndërmendje se emrin tim në listë e kishin shtuar ata të UDB-së1. Pra, del se sot, për gjithçka që kam mësuar u detyrohem atyre. Prandaj logjika e kërkon që unë t’ua kushtoj atyre këtë libër .

Gjimnazi ynë bënte praktikën në fabrikën “Uzina Metalike Tito”. Aty ne njiheshim me procesin e punës në socializëm. Fabrika ndodhej afër hipodromit të Shkupit. Në kohën kur të tjerët organizoheshin për të parë kuajt, unë qëndroja me klasën punëtore. Në atë kohë për kuajt e hipodromit kujdeseshin të burgosurit e burgut “Idrizovo”. Kishin frikë se nëqoftëse do të dalloja babain tim pranë kuajve nuk mund të parashikohej se çfarë mund të bëja. Në bibliotekën e shkollës, njëherë bibliotekari më tha me zë të ulët se babai im është njeri i madh. Në letrën që i dërgova tim eti atë muaj i shkrova se bibliotekari i çon të fala dhe se ai e quan njeri të madh. Babi më kërkoi që asnjëherë të mos përmend emra në letrat e mija, nuk duhet t’u bëjmë keq njerëzve. Nëse kjo, vërtet ishte e mundur, letrat e mija u bënë edhe më të ftohta. 

Ata që thonë se kanë kujtime nga traumat e veta gënjejnë. Kur ke trauma ndërton botë paralele. Gjatë kohës që udhëtonim me autobusin e tejmbushur drejt Idrizovës gjithmonë mendoja të njëjtën skenë. Sikur po shëtisja qenin tim, që nuk e kisha, nëpër parkun e qytetit. Gjithmonë të njëjtën skenë, gjithmonë i njëjti qen. Në mencën para se të shkonim në Idrizovo, prisnim me orë të tëra dhe shikonim nga ura kryesore; vizitorët ishin ose shumë të zhurmshëm, ose shumë të heshtur; s’kishte asnjë mosmarrveshje midis nesh. Na fusnin në një sallë të madhe, të cilës i thonim “ salla e ngrënies”, dhe megjithëse dhomat e ngrënies janë intime, këtu s’kishte asgjë të tillë. Ne uleshim përherë në tavolinën “tonë”, majtas bufesë, ku shiteshin po ato pesë gjëra që shiteshin edhe në mencë, gjithmonë e njëjta tryezë, gjithmonë po ato pesë gjëra. Babai im dilte i pari, ç’ka nuk ishte gjë e vogël në krahasim me të burgosurit e tjerë, që shtyheshin pas tij. Kur ai ulej në tavolinën “tonë”, nuk fliste shumë, gjithmonë me zë të ulët. Majtas nesh gjithmonë lëvizte polici, që në frymën Leniniste atëhere quhej milic. Pastaj, me të njëjtin autobus ktheheshim. Unë ngjitur pas xhamit dhe me sytë hapur shikoja qenin tim të parkut. Dua ta pranoj se edhe sot e kësaj dite unë ndiej neveri ndaj parkut të qytetit.
Kur fillova të studioj dosjen e babit tim më shtynte një nevojë urgjente personale. Nuk isha e uritur të marr vesh cilët kanë qenë spiunët e babit tim, as përse e kishin spiunuar; nuk më shtynte nevoja të kuptoj historinë e madhe; nuk desha unë të arsyetoj logjikën e komunizmit jugosllav, aq më pak versionin provincial të komunizmit maqedonas. Kjo erdhi më vonë, kur u çlirova nga emocionet, në kërkim të diçkaje ndryshe, nëse vërtet mund të ekzistonte. Për të vazhduar më tej duhej t’i lija mënjanë. Ne atëhere, nëse doni ta dini, nuk kemi patur shumë stacione ku qëndronin autobusët tanë….

Për vete, personalisht, kam dashur të pajtohem me të kaluarën e familjes sime. Ndieja njëfarë humbje të shkuar, njëfarë trishtimi të panjohur. Mendoni për një moment si jeton njeriu me barrën e trishtimit, të cilin nuk mund ta shprehë hapur. Momenti i shënuar për mua erdhi kur lexova librin “ Kërkesa e Antigonës” (2000) të Judit Butler. Pasazhi i fundit I kapitullit të parë thoshte: “Antigona refuzon t’i nënshtrohet çfarëdoqoftë ligji që nuk pranon të njohë publikisht trishtimin e saj dhe me këtë paraprin gjendjen e atyre njerëzve që kanë dhimbje të pashprehur haptazi- i të sëmurit me SIDA që e kuptojnë shumë mirë këtë gjendje. Në çfarëlloj vdekje të gjallë janë dënuar këta njerëz!”2.

Duke ditur se numri i përgjithshëm i dosjeve personale komuniste në Maqedoni është më i madh se 15.000 fillova të numëroj fëmijët dhe farefisin e të përndjekurve në komunizëm dhe ta pyes veten: Ku janë sot këta njerëz? Çfarë bëjnë tani? Çfarë bëjnë me trishtimin e tyre? U përgjegja: “Nëse filloj e qaj pikërisht tani, asnjëherë nuk do të arrij të pushoj”.

Njëherë, kohë më vonë, më ra në dorë libri “Stalini i mirë” (2004) i Viktor Jerofejev-it. Jerofejev- pinjoll i nomenklaturës, rini e artë nën mbrojtjen e Kremlinit, gjyshja e tij njëherë, kohë më parë njoftonte nënën e tij se fëmija po villte, sepse kishte ngrënë më shumë seç duhej haviar! Tek ne, askush, asnjëherë nuk shkroi një libër të tillë, djemtë nga Dedinje, Pantovçak dhe Vodno3 kërcenin rock and roll, shihnin filma të ndaluar (atyre u lejohej) dhe sillnin budizmin nga India, me të cilin bënin një jetë “avangardiste”. Kjo lidhje sadistomazohiste, ndërmjet artit dhe ideologjisë si përfundim mbaroi me kalimin në pjesën më të madhe të këtyre djemve “në të djathtën ekstreme për të kujtuar fëmijërinë e tyre”. Në librin “Stalini i mirë” shkruhet sesi daljet letrare të Jerofejevit të ri kanë penguar Jerofejevin-plak, që ishte në kulmin e karrierës së tij, të bëhej zëvendësministër i jashtëm i Andrej Gromikos. Jerofejevi konkludon: “Pse unë t’i gjykoj të shquarit e shekullit të njëzetë? Po të kishin patur edhe vetëm një plumb më shumë në dorë, edhe vetëm një furrë krematoriumi më shumë, a do të isha unë në këtë botë”4. Dhe del, pikërisht se ata, në djall vafshin, gjithmonë kanë patur një histori më interesante se e “jona”. Ne dilnim nga turma, fundërrinat e jetës, nga të përçmuarit. “Ata” lindnin si heronj, nga gjaku i të gjithë të rënëve në altarin e jetëve të tyre.

Biografitë si dëshira

Fjalët nuk e sjellin pasurinë nga qielli, as nga thellësitë e bregoreve. Edhe, nëqoftëse se ekziston ndjesia e gjallë, e cila e zhvendos pasurinë si dorë ledhatuese përtej gjithçkaje tjetër të vlefshme për të kujtuar. Një kujtim i tillë nuk mund të përshkruhet ndryshe veçse nga dorë e paditur dhe me një mjet të ashpër.
Kafka

Biografi. Biografitë janë dëshira, më shpesh dëshira për të ruajtur, për të mbajtur gjallë kujtimin platonian për njeriun që është objekt i biografisë. Madje në biografitë më të thata ekziston një ambicie e fshehtë, megallomane (e njohur, qoftë edhe me atë detaj të vetëm trivial), ambicie për të zbuluar pak më shumë nga ajo anë në të cilën individi, objekt i biografisë paska kënduar, dashuruar, menduar, kërcyer, krijuar, jetuar, ambicie për ta njohur atë nëpërmjet këngës, dashurisë, mendimit, kërcimit, krijimit, jetës.

Megjithatë, jo të gjitha biografitë janë shkruar njësoj, ka të paktën dy lloj dëshirash të lidhura me pasionin, për të memorizuar një jetë…..Dëshirat e llojit të parë janë shkrimet të cilat nisen me synimin për të nderuar një emër, të shtyrë nga ndjenja e mungesës së mundësisë për të prekur atë që nuk është më. Këto janë vepra nderimi, vepra në kërkim të gjurmëve të përbashkta. Ndërsa të dytët janë dëshira për një përsëritje të qartë të realitetit, vepra si një nevojë e tmerrshme për rikujtim, për riprovim të imazhit, të portretit të parë të individit, objekt i biografisë, nevojë për të kapur dhe fiksuar shkakun e tij, lëvizjen e tij; dëshira për të prekur atë detaj të pakapshëm nëpërmjet të cilit do të hapet, do të zgjerohet jeta e tij, gjithçka që mund t’u serviret hienave të qytetit (edhe pikërisht sepse mundet t’u serviret, do t’u serviret), dëshira të përfshihet gjithçka deri në “shtresën e fundit” të një jete njerëzore, prandaj kjo shtresë e fortë të bëhet kusht i demaskimit, i dënimit dhe i shkatërrimit deri në vdekje.

Sidoqoftë të dy llojet e letrave biografike janë shënime, ato janë shënime të hartuara me fjalë, të cilat e hanë letrën e pafajshme, e shkatërrojnë sipërfaqen e saj të lyer, gadishmërinë e saj të përhershme për të pritur shënime. Por, pikërisht për ato dhimbje të shkaktuara asaj, rëndësi ka dora që hedh shënimet, dora që shkakton këto dhimbje. Prandaj e rëndësishme është dëshira, e cila lëviz kërkimet nëpër të kaluarën e humbur, nëpër kujtimet për një jetë, nëpër kujtesën. Siç thamë biografia përbëhet nga fjalë. Këto fjalë janë këtu për të mos harruar. Po si mund ta bëjnë këtë fjalët ?

Biografia si një skenë e historisë dhe sidomos biografia letrare, si një kujtim për historinë letrare gjithmonë duhet të jetë një shkrim, i cili të dallohet me një stil të ëmbël, ledhatonjës, shkrim i cili nuk është nisur nga dëshira për të ngurtësuar, për të zhdukur dhe shkatërruar. Biografia nuk mund të krahasohet me riprodhimin-çdo trill (i cili përfshin dhe misterin në një jetë njerëzore) është i mundur vetëm në një mënyrë simbolike, vetëm në mungesë, in absentia, vetëm kur vetë biografia do të qëndrojë në pragun e hyrjes në jetën e huaj edhe në këtë prag do të vendosë të vetëqëndrojë…

Biografitë fjalor shpjegues

Është herët për fjalën e fundit, ju them.
po flas thuajse i pari nga fundi,
unë s’isha në skenë, përse më akuzoni.
Unë isha vetë një skenë në gjak!
Jevtushenko

Ekzistojnë të paktën dy lloje biografish dhe sigurisht këtu janë dhe të tretët, biografitë më të shpeshta, ato të cilat pak, apo shumë janë të hartuara nga faktet. Faktet për Jovan Koteskin, të mbledhur prej fjalorësh të ndryshëm-ja se çfarë ka në to.

Jovan Koteski (1932-2001) është një poet i cili i përket të ashtuquajturit brez i tretë shkrimtarësh maqedonas, të viteve 1950. Ka lindur në fshatin Prisovjani, të Strugës, fëmijë e katërt nga të pestët e Petkanës dhe Vasil Koteskit. Fëmijërinë e kalon si çoban hyzmeqar duke ruajtur bagëtinë e huaj. Në vitin 1946 regjistrohet në gjimnazin e Ohrit. Jeton në konvikt. Në vitin 1948, babai i tij, i cili punon si pastiçier në Bratislavë të Sllovakisë burgoset nga InformByroja sllovake dhe dënohet me nëntë vjet burg. Shkak bëhet fakti se Shërbimi Sekret Sllovak gjen një portret të Josif Broz Titos në shtëpinë e gjyshit tim në Bratislavë dhe, si për ironi të fatit, po në emër të të njëjtit marshall Tito, më vonë, babai im është dënuar disa herë. Jovan Koteski takohet me babain e tij vetëm dy herë gjatë jetës së vet, njëherë në moshën shtatëvjeçare dhe herën e dytë në moshën 26-vjeçare. Për takimin e dytë më 1958, Jovan Koteski shkruan më vonë: “Në kthim ka shkuar tek një tetoja ime dhe kjo e sjell tek kumbari im, ku banoja me qera si student. Në mbrëmje kur u ktheva nga fakulteti pashë në dhomë një mysafir dhe ja një përqafim i një jete të vështirë dhe të zbrazur”.

Për herë të parë Jovan Koteski burgoset në vitin 1948, në moshën 16-vjeçare, me siguri, sepse në atë vit i ati është kapur në Sllovaki. Njihet fakti se Shërbimi Sekret Jugosllav ka bashkëpunuar me shërbimet sekrete të vendeve të tjera komuniste. Koteski bëhet i dyshuar për shërbimin e brendshëm, sipas logjikës komuniste, që thotë-E ke babanë të dyshimtë, domethënë edhe ti je i dyshimtë. Në vitin 1950 Jovan Koteski arrestohet për herë të dytë dhe kësaj radhe dënohet me tre vjet burg për krim verbal, por lirohet disa ditë më vonë. Për herë të tretë burgoset në vitin 1952 gjatë një aksioni rinor në Mavrovë, për të katërtën herë në vitin 1954 dhe kështu me radhë, ndërkohë që dosja policore nën emrin e koduar “intimist”, me të cilin ishte regjistruar babai në UDB nuk është hapur zyrtarisht deri në vitin 1961.

Në vitin 1954 vendoset në Shkup, regjistrohet si student në degën e letërsisë, të cilën nuk e mbaron kurrë. Tre-dhjetëvjeçarë punon si gazetar në Radion e Shkupit. Në vitin 1958 boton përmbledhjen me poezi: “Zemja i strast” (Toka dhe pasioni) dhe “Nasmevka pred zorite” (Buzëqeshja para agimeve), vijojnë: “Zlodoba” (Kohëlig, 1963) “Tezhina” (Pesha), 1965, “Peplosija” (Hiri) 1966, “Senki” (Hijet) 1972, “Zeleni Porti” (Portat Jehsile) 1975, “Heraklea” (Heraklea) 1978, “Pomorija” (Epidemi) 1981, “Bdenja i snovidenja” (Zgjimet dhe ëndrrat) 1982, “Polilej” (Abazhuri) 1983, “Plodovi” (frutat) dhe “Tapija” (Tapija) më 1985, “Zhivozharica” (Prush i gjallë) 1990, “Sonçeva belegija” (Shenja e diellit) 1990, “Mornici” (Mornica) 1991, “Gluvçeto so vogled” (Gluvça me binokël, poezi për fëmijë), 1991, “Ralica” (Ralica) 1992, “Zlodoba” (Kohëlig), 1992, “Samotija” (Vetmi), 1994, “Praznik” (Festë), botim bibliografik, dorëshkrim, 1995, “Tragaç” (Studiues), poemë 1995, “Reshetki” (Hekurat), 1996, “Prike” (Përralla) 1997, “Odron” (Shembje) 1998, “Razor” (Shaktërrim) 1999, “Krteçina” 2000.

Më 2 shtator të vitit 1985 arrestohet dhe dënohet me pesë vjet burg. Akuza i ngarkon veprime ilegale për prishjen e Federatës Jugosllave dhe krijimin e një shteti të pavarur maqedonas, që faktikisht ndodhi shtatë vite më vonë. Është i grupit të fundit të të burgosurve politikë-intelektualë të ish-Federatës Jugosllave. Gjyqi i Jovan Koteskit zhvillohet me dyer të mbyllura. Njëri nga prokurorët kërkon dënimin e tij me 20 vjet heqje lirie. Shtytjen më të madhe për lirimin e tij nga burgu, mes shkrimtarëve maqedonas (lëvizje e cila asnjëherë nuk u zhvillua) gjatë vitit 1986 e jep poeti amerikan Alen Ginsberg, kryetar i atëhershëm i komisionit për mbrojtjen e të drejtave të shkrimtarëve dhe gazetarëve në qendrën botërore PEN, i cili atë vit asiston në mbrëmjet e poezisë në Strugë, si fitues i Kurorës së Artë. Me ndërhyrjen e PEN-Klubit jugosllav (me seli në Zagreb), në qershor të vitit 1987, pas plot dy vitesh burgimi, Koteski lirohet. Për lirimin e tij meritën më të madhe e ka shkrimtari frankofon, nënkryetari i atëhershnëm i PEN-Klubit Botëror dhe Kryetar i Pen-Klubit Kroat, Predrag Matjejeviç, i cili organizon një peticion me shkrimtarë të njohur botërorë, për lirimin e tij nga burgu, ndërsa në vitet ’90 ai vetë bëhet i padëshiruar për regjimin nacionalist të Frano Tuxhmanit në Kroaci. Duke dërguar letra në Gjykatën e rrethit të Shkupit dhe në Gjykatën e Lartë të Jugosllavisë në Beograd, Madvejeviç arrin të fitojë rigjykimin e dënimit të Koteskit dhe lirimin e tij të menjëhershëm nga burgu në qershor të vitit 1987. Koteski fillon punë si bibliotekar në një bibliotekë të vogël, afër shtëpisë së tij, ku punon deri në daljen e tij në pension. Shkon në Kroaci dhe takohet me Medvejeviçin.

Dhjetëvjeçarin e fundit të jetës Koteski e kalon në një izolim relativ në shtëpinë e tij në Shkup, duke vuajtur nga paranoja, në nëntor të vitit 2000, shtatë muaj para vdekjes arrin të njihet me pjesën e përzgjedhur nga dosja e tij. Në më shumë se 300 faqe është shkruar se ka qenë objekt hetimi gjatë jo më pak se 40 viteve të jetës së tij. Dokumenti i fundit i dosjes së babait tim shënon vitin 1998, por nuk ka asnjë arsye të mos besojmë se ai ka qenë nën vëzhgim deri në vitin 1990. Nëse (me, apo pa të drejtë) mendojmë se ndjekja e babait është ndërprerë në vitin 1990, atëhere kohëzgjatja e tij shkon në 42 vjet. Nëqoftëse (ndërpritet) ka vazhduar deri në vdekjen e tij, atëhere babai im ka qenë objekt i përndjekjes policore plot 53 vjet. Vdes me 12 qershor 2001 në Shkup, në rrethin e njerëzve më të afërt.

Biografitë e “Njërit njësh”

Oblivium, kjo është ajo që fshin.
Si ? Një gjë me rëndësi si ajo
Lakan
Këtu hyjnë ato biografi, që nuk janë të tilla: biografi që janë të hartuara me kujtime pasionante, ato ku ke përcaktuar veten si ‘njëri njësh’ (si për shembull, i pari thotë, unë parapëlqeva një kafshë) dhe pastaj ka “një dysh”, kur unë vendosem atje ku më intereson, jo në nivelin “njësh”, por në atë, “njëherësh të dyja”. Atje ku dhe fillon të veprojë ai lloj shkrimi, i cili i shkakton dhimbje letrës së pafajshme.

Në atë vend ku është “njëri njësh”, që është vendi im, unë, fëmija e tij ekzistojnë disa skuta ngacmimesh, që tashmë janë zbehur në të gjitha kuptimet. Dhe, pas gjithë asaj pune rikujtimesh. Duke qenë në këtë vend mund të shikoj sesi vështrohem, por tashmë e kam humbur shikimin. Kjo është hapësira, ku tregimi tashmë rrjedh nga një pikë, prej së cilës kujtimi vjen me vështirësi. Është vendi me mungesa, ku ndodh ndrrimi i fantazisë me realitetin, diçka e padëshmuar, diçka që ndoshta funksionon në mënyrë instiktive, sikur të ishte ai njeriu i parë që linte shenjat nëpër shpella. Pra, nga ky vend i “njërit njësh” rrjedhin disa memoare.

Babai, pra njeriu me emrin Jovan Koteski, nga enciklopeditë, i lexon fëmijës së tij poezinë e Lorkës “Dy marinarë te bregu” dhe këtë poezi ia shpjegon duke thënë se marinarët nuk janë dy, është vetëm një, por njëri marinar brenda tij ka vazhduar të udhëtojë me anije nëpër të gjitha detrat e botës, kurse tjetri ka mbetur në një port të Azisë pranë gruas së dashur të jetës së tij.

Kujtesa e dytë, një pasazh tjetër: Babai ka blerë një pikturë. Paraqet një vazo me tre lule, në stilin e Pikassos. Vazon e mbajnë tre duar. “Piktura s’është ndonjë gjë e veçantë, unë mund të vizatoj edhe më të bukur”, them, por unë jam fëmijë. Babai buzëqesh, le të marrim një letër dhe le ta provojë. Shkoi në dhomë dhe vizatoi pikturën pa e parë. Ia tregoi pikturën babit dhe ai thotë se është njëlloj e vizatuar. “Por më e bukur. Por (buzëqesh), e gjithë puna nuk është të pikturosh të njëjtën pikturë, por duhet të krijosh një pikturë tënden, ashtu si ka krijuar edhe piktori të vetën”...

E treta: Atë të premte babai i ra ziles së derës. Ka dy vjet që asnjëri nuk shfaqet në portën tonë. Rënia e ziles, kjo është shenjë e lëvizjes,...në burgun....Atë të premte hap derën dhe shoh babin tim, kthyer pa lajmëruar nga burgu, liruar vrikthi atë mëngjes, me veshje burgu, s’kishte patur kohë t’i zhvishte se mendonte në atë moment, në atë mëngjes se duhej sa më shpejt të mbrrijë në shtëpi. Nuk kuptoi se ndërkohë, në vendin e dashurisë sime të madhe lindi një urrejtje e madhe. Impulsi im i parë ishte t’ia mbyll derën, të gjithë të vazhdojmë të jetojmë në burgje, secili në të vetin. Nëqoftëse do ta kuptoja pak më shumë gjithçka që na ndodhi, nuk do ta kisha urryer sa e urreva nga momenti kur u largua. Çdo dashuri është vetëkënaqësi. Edhe dashuria në kohën e sistemeve gjakatare, po ashtu. Nuk je i përgatitur për humbjen, as unë nuk isha...

Kujtesa e katërt: Babi në shtëpinë që rrënohet nga skamja dhe uria. Babi në vitin 1994, kthehet nga puna dhe sipas zakonit pyet nëse e ka kërkuar njeri. Asnjeri?

E pesta: Im vëlla diplomohet këtë muaj mars, tashmë është fizikant për kërkimet atomike. Im atë i pirë me diplomën e vëllait në dorë del jashtë shtëpisë për të gjetur paratë, im vëlla duhet të kthehet në Beograd, sepse ai punon në Institutin Nuklear në Vinçë, ndezin dhe fikin reaktorin nuklear. Babai im kthehet dhe hedh mbi tavolinë 400 marka. Lëkundet. “U ula në një grup njerëzish me moshë të re, Jasne, biznesmenë. Një nga brezi im është ulur aty...më thërret, Jone, mos u budalleps, hajde të paktën rri me mua, mos u ul në tavolinë me fëmijë...Dhe më pas...shih ti, nxori aty në vend dhe filloi të numërojë...100, 200, 300, 400..aty e ndala; mjaft i kam, i them, do të t’i kthej, ndërsa ai më thotë: Xhaxha Jonçe, nis e mi kthen do të të rrah. Por unë do t’ia kthej, prandaj shtoj, rrihmë, por unë do të t’i numëroj në dorë, ja si ti tani”. Lëkundet me fletoren bojëqielli “Punë diplome, kandidat” Vasil Koteski, Fakulteti i Fizikës, 1994”, ulet në një grumbull librash, librat rrëzohen, por im atë nuk kupton gjë, vazhdon të shtrëngojë në dorë fletoren “Punë diplome”.

E gjashta: Procesi i pajtimit të gjatë. Një njeri, të cilin e njoh rastësisht në një konferencë, më propozon për njëfarë projekti. Nuk kemi pará dhe më duhet të punoj shumë. Për disa muaj me radhë më bind të shkoj në Budapest, ku ai është profesor në një universitet, më regjistron aty, më mban në shtëpinë e tij ku jetoj me familjen e vet, më hap dyert e bibliotekës së tij, më jep të lexoj Fuko-n dhe desidentët e tjerë rusë, kuptoj se nuk ka asnjë lidhje me studimet e mia. Vrapoj të kthehem në Shkup, qoftë edhe vetëm për pushime, qyteti më duket njësoj i neveritshëm si atëhere kur ia mbatha prej tij. Disa ditë përpara mbarimit të atyre studimeve, profesori im më tregoi dosjen e trashë të gjyshit të vet. Profesori im është njëkohësisht edhe nip i njërit prej kodoshëve të regjimit komunist në Hungari. Kjo është mnëyra e tij të shpaguajë. Bashkë me mua , në shtëpi ndodhet edhe një vajzë që është arratisur nga beogradi, nga regjimi i Millosheviçit. Edhe ajo jeton pa pará, edhe ajo lexon libra që ia jep profesori ynë... Na ndihmoi të gjenim fjalorin për të mësuar shpjegimin e proceseve që ndodhin në kohën tonë historike....Ditën e fundit në trenin Budapest-Shkup, për herë të parë pas shumë vitesh ndjeva një gëzim të pamat që po kthehem në shtëpi, rikthim pas një shekulli për të parë babin tim.Po, ai ishte fëmijë i një kodosh regjimi komunist më të hershëm.

Im atë, ditën kur mbylli sytë. “Kjo nuk është shtëpi. U përpoqëm. Ja, nëna jotë ka vendosur këtu piktura, edhe këtu lule dhe këto rafte. Mrekulli. Por kjo nuk është shtëpi. Do t’më kuptosh, besoj, jo? Gjithkush duhet të shkojë në shtëpinë e vet. Unë tani duhet të shkoj në shtëpi...”.

Biografi për “shokët”

Ju doni të luani me telat e mia, doni të njihni çelësin tim; doni nga zemra ime të shkëpusni të fshehtën; do të donit t’i preknit dhe të dëgjonit kumbimin e tyre që nga nga toni më i ulët deri tek më i larti i shkallës së tyre. Ja ku është ky instrument i vockël, me një zë të mrekullueshëm dhe tone të larmishme, ju përsëri nuk mund ta detyroni të flasë! Në djall vaftë, a mendoni se është më e lehtë të luani me mua, sesa me një fyell? Më quani çfarëdolloj instrumenti; ju mund të më prekni, por nuk mund të luani me telat e mia.
Shekspir

Pastaj, patjetër që janë dhe biografitë e forta. Zakonisht këto i shkruajnë njerëzit, të cilët të buzëqeshin me thikën pas shpine. Janë miqtë e tu, poetët dhe shkrimtarët maqedonas...

Kur në vitin 2000, babai më tregoi për herë të parë dosjen e tij, kjo ndodhi vetëm disa muaj para vdekjes. Kaq kohë kishim, kohë për t’u pajtuar. Mes nesh, fëmijët e të burgosurve politikë, disa nuk patën fat edhe për kaq. Gjënë e parë që më tregoi ai ishte kapitulli: “Bashkëpunim me Punët e Brendshme: (s’ka patur)! Pastaj lexoi ato 300 faqe (shkëputur nga kushedi sesa të tjera), të cilat ia lejuan t’i marrë dhe t’i shikojë nga dosja e tij, ku u mjaftua vetëm me disa emra dhe gjysmë faqe të nënvizuar me flamaster, për të konstatuar atë që e dinte gjithë jetën. Pra, se, jo më pak se 40 vjet të jetës së tij 69-vjeçare, ka qenë objekt hetimi. Prandaj kuptuan se paranoja nuk ka qenë paranoja, frika nuk ka qenë një luks irracional, por gjendja më e lartë e vetëdijes. Prandaj lexon, të dhemb, por të paktën shikon se nuk je i çmendur.

Kur babai doli nga burgu ndodhte se miqtë e tij më të mirë, doajenët tanë letrarë, lektorët tanë, t’ia kthejnë kokën nga ana tjetër kur e shihnin në rrugë. Kjo ndodhte megjithë familjen time. E kuptueshme, e kanë patur të vështirë, nuk kanë ditur si të përshëndesin, pa i prishur punë vetes. Eh, i kuptojmë, por të merremi vesh. Kurrë s’ka për t’i kuptuar babai im poet dhe fëmija brenda tij, sepse këto lloj mekanizma janë të pakuptueshme për këtë fëmijë. Në emër të asaj fëmije, që nuk e kuptoi, në emër të babait tim, që s’është më, kam vetëm një fjalë, thënë me gojën e rep-erit kroat, Edo Maajka: Ju q. nënën.....

Kur babai më la dosjen pyetja kryesore që lindi në fillim tek unë nuk ishte kush, por një pyetje krejtësisht tjetër e aspektit infrastrukturor. Si dukej konkretisht ky mekanizëm? Kush e ka daktilografuar këtë material? Si quhej ajo daktilografiste? Kush e ka bërë këtë gabim shtypi? A është ky lejim gabimi shenjë e shëndetit jo të mirë? Kush e përgjonte tim vëlla, ndërsa bënte mrrëveshje për trening në atletikë? Çfarë të mire sillte ky informacion? A ia vlente? Si quhej telefonisti? Mos vallë kur e ka dërguar informacionin, ai, përgjuesi konkret, shkrimtar, që na jepte leksione neve, kishte idenë se po bënte një punë të dobishme? Si dukej informatori? Çfarë kishte ngrënë atë mëngjes? Me çfarë fjalie i përcolli fëmijët për në shkollë? A mundi me shpërblimin që mori për punën e ndyrë t’i edukonte fëmijët për së mbari dhe t’i bënte të lumtur? Sepse, nëse kjo ka ndodhur, të paktën do të ishte një ngushëllim dialektik.

Gjithashtu, më vonë, ndërkohë që je duke pritur autobusin, patjetër të vjen një pyetje personale. Kështu më ndodhi mua një mëngjes. Atëhere, kur u kthjellova, se ai aparati i përgjimit në shtëpinë tonë ishte vendosur në kohën kur i thoja alo-n e parë të dashurit tim të parë. Ajo telefonatë kishte qenë një e fshehtë për të gjitha shoqet e mia, por jo edhe për strukturën shtetërore. Nëse do të mund të zgjidhja nuk do të doja të ishte kështu. Nëse im vëlla do të mund të zgjidhte, nuk do të donte të ishte kështu. Por, dihet, ne nuk kishim mundësi zgjedhjeje. 

Këto janë gjëra kryesore, shumë të rëndësishme. Nuk mund të përgjonin një komb pa asnjëlloj pasoje dhe pastaj të prisnin që ky komb të ishte normal. Pastaj, një mëngjes nuk mund t’u thoni: Duhet të hyjmë në Evropë, mos e kaloni rrugën me të kuqe. Ata, me traktorët e tyre i shkelën të gjitha koordinatat intime të jetëve tona njerëzore, duke kaluar gjithmonë dhe detyrimisht me të kuqe, duke mosrespektuar të gjithë semaforët e çdo intimiteti njerëzor dhe pastaj kërkojnë nga ne të qëndrojmë në jeshile dhe të jemi loajalë me konvencionet e tyre.

Dhe, pikërisht për këtë, gjenerata të tëra fëmijësh të ish-të burgosurve politikë heshtin, si edhe unë, prandaj dhe kjo forcë faktikisht është e mundur, pavarësisht se askush dhe asnjëherë nuk ka dhe nuk do të ketë legjitimitetin t’ua mundësojë daljen. Një nga çështjet kryesore që qëndron në shtetet postkomuniste është të krijojnë mekanizmin me të cilin do të hapet ajo faqe e së kaluarës së tyre, që flet për vuajtjet e brezave dhe trashëgimtarëve të viktimave të represionit politik.

Dhuna e kulturës maqedonase

Po, vërtet jam vetëm një udhëtar, rrugëtar në tokë.
Mos vallë juve jeni diçka më shumë?
Gëte

Domethënë, “biografija e shokëve”, ajo që kolegët e tu, shkrimtarët dhe poetët maqedonas shkruajtën për ty në dhjetëvjeçarët e gjatë mes viteve 1960-1990, pa e ditur ti ...Çfarë munden të shkruajnë për gjithë këta dhjetëvjeçarë, në zhanrin “biografi” këto dardha krijuese dhe profesioniste me temën: “një rrugëtar në tokë”?
Dosja e tim eti më tregoi mbi cilat principe ishte ndërtuar strategjia e kontrrollit në sferën e kulturës në vitet 1960 – 1990. sapo dilni nga shtëpia, ju jeni i përndjekur. Nëpër rrugë rrotullohen drejtuesit, zyrtarët, policët, bashkëpunëtorët, informatorët, punonjësit e UDB-së, miqtë tuaj, por ju nuk mund të njihni kush është kush. Ju jeni i lidhur me vendin tuaj, vendi juaj ka emër, në rastin e babait tim, ky emër është POO “Intimi”. Ju jeni intim dhe si i tillë jeni shumë i dyshuar. Nuk ka pse të jeni “intim” në vitin 1961, kur të gjithë të tjerët janë sociologë.

Në dosjen e babait tim sfilon një paradë e tmerrshme spiunësh, poetë të gjallë dhe të vdekur, shkrimtarë, njerëz të rastësishëm-policë. Bota e dosjes së tim eti është bota e kombinimit të inskenuar të shkrimtarëve dhe policëve maqedonas, që shpesh janë i njëjti person. Kjo është një botë ku nuk ke koordinata të qëndrueshme të miqësisë. Shumica e “miqve”, kolegë dhe shkrimtarë shkelin që ta mbledhin llogarinë për qëllimin e tyre. Gjithsecili dhe gjithkush është vesh.

Nga dosja e babait tim më bëhet e qartë se tipi i kontrrollit që është ndjekur për të bazohej në sistemin e njoftimeve, listave dhe regjistrimeve. Informatori përcillte njoftime drejtuesit, drejtuesi e vendoste këtë dokumentë në tri instanca të tjera: libri për informim, dega e UDB-së dhe dosja për çështje ligjore. Në janar të vitit 1988 në shtëpinë e babait tim ka hyrë personi X për të shprehur “urimet dhe dëshirat e Vitit të Ri”. Përmbajtja e këtyre urimeve është përcjellë në TRI instanca të tjera.

Shënimet lidhnin qendrën (kokat e UDB-së) me periferinë (“miqtë” e tim eti). Pushteti shpërndahej nëpërmjet një mënyre të jashtëzakonshme, me një sistem hierarkie të saktë, deri tek instanca më e ulët, deri tek drejtuesi më i fundit, i cili vinte re çdo tërmet që binte mbi të përndjekurin. Ky shqyrtim shkon në situata tragjikomike. Në dokumentin e informatorit të muajit prill 1961 im atë gjatë kohës së drekës i është ankuar “shokut” të tij se është i pakënaqur nga sistemi, X-i “me dëshirën e mirë” i ka kujtuar babait se ai personalisht ndihet mirë me sistemin dhe s’ka përse të qahet. Prej këtej rrjedh një “paragraf”. Citoj nga dosja:“Jonçe papandehur doli jashtë nga kafeneja, pasi një fytyrë e re erdhi dhe ai shkoi të bisedojë me të”. Thënë ndryshe kjo nënkupton se babai im është ngritur të përshëndetet me një tjetër mik. Por kjo është një arsye mëse e mjaftueshme për një alarm të sistemit hierarkik. Shënimet operative kërkojnë të shohin se kush është i përshëndeturi, që të vihet edhe ai nën shenjën e të përndjekurit. Ky sistem ruan emrin “e vërtetë” të gjithkujt që ke takuar, ruan emrin “e vërtetë” të kritikës tënde të vazhdueshme të sistemit, të mendimit tënd të lartë, të sensibilitetit tënd poetik, të “sëmundjes” tënde.

Nëse do të kishit jetuar si babai im në vitet 1960-1990, spiunët janë gjithmonë pranë jush. Pushteti është i ndarë në shumë trupa. Por ata nuk ulen në tavolinën ngjitur, nuk fshihen pas saksisë, kërrusen ndërsa lexojnë gazetën në holl. Ky nuk është film. Kjo është jeta juaj, ndërsa informatorët janë miqtë dhe kolegët tuaj më të afërt, shkrimtarët maqedonas. Si të gjithë njerëzit e kësaj bote, edhe juve flisni me miqtë tuaj për gjëra të rëndësishme, që ju dhembin në shpirt, që ju gëzojnë, që ju shqetësojnë. Ju jeni poet maqedonas dhe e rëndësishme mbetet gjithçka që ka lidhje me kulturën dhe institucionet maqedonase që e udhëheqin, me gjuhën maqedonase dhe pastërtinë e saj, me fshatrat maqedonase, sepse sa më në nivel të këndoni në poezinë tuaj, aq më e rëndësishme bëhet ideologjia, prandaj si çdo poet tjetër në këtë planet dhe ju dyshoni se keni të drejtë të mendoni për të. Por derisa ju bashkëbisedoni me miqtë tuaj, ju nuk e dini se po i flisni një hibridi, një qënieje dykokëshe, që ka një fytyrë poeti dhe një tjetër polici pa uniformë. “Miqtë” tuaj më të mirë janë gjithmonë pranë jush: në një dokument ju jeni mysafir tek ta, në tjetër në restorant, në të tretin në një klub, në të katërtin në hotel, për ndonjë lexim, takim, në autoveturën shtetërore të tyre, në bufe, në zyrë, e juaja, apo e atij, apo asaj. Të gjitha vendet e numëruara janë lokacione faktike në dosjen e tim eti.

Kur e shihni këtë difuzion të pushtetit dhe atë penetrimin tejet djallëzor në botën intime, përmes miqve tuaj, nuk mundet që të mos pyesni, ku është kufiri? Disa prej shoqeve të nënës sime, bashkëshorte të poetëve tanë, janë në dosje, tamam ashtu si ishin, të deformuara si spiune. Ku mbaron lista? Çfarë surprizash ju presin poshtë flamasterit të zi që fsheh të tjera identitete?

Sa mundet të durojë qenia njerëzore?

Njëri sy sheh, ndërsa tjetri ndjen
Pol Kle

Babaim im gjithë jetën manifestonte vetëdije të trazuar se e mbikqyrnin. Një bisedë telefonike e transkriptuar, e datës 27.7.1987, im atë i ankohej X-it se :Qëkurse jam në këtë jetë, më provokojnë vazhdimisht, por një qenie njerëzore kaq mundet të durojë....po të them...do të llahtarisesh...Mes të tjerash, sa më shumë flisni, aq më tepër bie në vesh të shurdhër dhe sa më tepër ankoheni, aq më shumë njerëzit tërhiqen duke bërë shenja me duar. Ju nuk keni asnjë mënyrë të faktoni gjendjen e brendshme, sepse jeni i mbikqyrur. Pjesë e kësaj strukture të pushtetit është që ju të mbeteni krejtësisht i vetmuar. Që të jeni i shqetësuar, në mënyrë që spiunët tuaj do të mbeten “miqtë” tuaj më të mirë. Pavarësisht nga vetëdija e tij e paqartë, se ishte i përndjekur gjatë gjithë jetës, kur babai më hapi dosjen, ishte i shkatërruar nga skenari kafkian, në nivelin e një vështrimi të kudogjendur nga përndjekja e gjatë dhe së fundmi nga sadizmi i atij që e kishte përndjekur.

Vetmia është qëllim, është mirë të jesh vetëm. Ata do të bëjnë gjithçka ti të mbetesh vetëm, qëkur tashmë të gjithë po të largohen. Kur im atë doli nga burgu, në shënimin operativ të datës 10.09.1987 shkruhet “(M)ësojmë se Jovan e përjetoi rëndë faktin se i janë larguar të gjithë miqtë e dikurshëm. Momentalisht psiqikisht, ndihet më rëndë sesa kur ra në burg”.

Shumëherë kam pyetur veten sesi e përjetoi im atë përndjekjen e tij politike? Ekziston diçka që e dinë vetëm ata që u kanë mbijetuar torturave. Njeriu që u është nënshtruar torturave disa vjeçare, në një moment kthehet i gjithi në dhimbje. Dhimbja bëhet objekt pa atributet dhe përmbajtjen njerëzore. Do t’ju përshjkruaj si ishte një ditë e zakonshme e tim eti, në periudhën nga 1994, sepse të gjithë, vitet para dhe pas, ishin të njëjtët. Viti 1994 ishte shtatë vjet më vonë, shtatë vjet qëkur babai im kishte dalë nga burgu, qëkur kishim shtetin tonë, qëkur mendimet e tij heretike, tashmë nuk ishin heretike, por konjukturale.

Im atë përpiqej të flinte ditën. Për të ishte e pamundur të qëndronte zgjuar kur jashtë zbardhte drita. Për atë që ka përjetuar tortura, drita është një problem i veçantë. Ai që është kqyryr gjithë jetën, por nuk sheh vetë, ai që është objekt i informacionit, por kurrë subjekt në komunikim, trembet nga drita, sepse shikueshmëria i garanton funksionimin e pushtetit. Kur rrinte zgjuar, babai im shëtiste nervoz nga dhoma në dhomë. Hyn në një dhomë dhe menjëherë del prej saj. Do të qëndrojë në korridor për të dëgjuar se çfarë bën mamaja ime në kuzhinë; do të trokasë në derën time nga frika s emos më ka ndodhur ndonjë gjë e keqe, do të gjejë ndonjë temë, si përshembull “Po lexoj Cvetaevën” dhe papritur përgjigje, po aq shpejt do të dalë nga dhoma. Do të dridhet me orë pas perdes, duke parë kurbetliun, që ka vendosur të kalojë tri orët e fundit të punës, bash poshtë dritares sonë. Po sikur ai të mos jetë kurbetli? Shumë prej tyre në dosje dolën “persona në shërbim të UDB-së”. Do shtrihet të flerë. Fle me një sy zgjuar dhe ngrihet për çdo zhurmë, duke kërkuar t’i shpjegosh çfarë ka ndodhur, kërkon të shohë, të bindet. Jeton sikur në çdo moment do të shfaqet ndonjë njeri tejet i rëndësishëm dhe do t’i sjellë vendimin më të rëndësishëm, nga i cili do të materializohet profecia për jetën e tij. Njeriu që ka kaluar përmes 40 vjetëve të përndjekjes politike, ndërton strategji për mbijetesë. Kur dëgjohet zilja mendon: kush është ai tjetri që do të vuajë? Nëse troket dikush në derë qëndron dhe i dëgjon dihatjen. Mezi i gjen forcat të gjejë çelësat. Edhe kur e njeh shumë mirë njeriun që i bie ziles, e vështron gjatë. Ndonjëherë nisem të hap derën, por kjo është çështje jete, a vdekje për të, kërkon të jetë ai i pari, që mua të mos më ndodhë ndonjë hata. Dhe, në fund “Ah Vera, urdhëro...Jasna është në shtëpi”.

Njeriu që u ka mbijetuar torturave, ndërsa gjithë jetën ka qenë objekt i përndjekjes, transformohet në personin që nuk mundet të rikonstituohet përmes identifikimit me të afërmit. Bota e tij bëhet një botë e pabazuar në dialektikën. Kjo është mungesë nga mungesa. Kjo është prezencë e pastër. Njeriu që ka përjetuar torturën zhvillon paradoks të pamundur, kufi në një përfaqësim dhe në akoma më shumë përfaqësime. Ai ka miliona foto të tmerrshme të forcës së sistemit dhe foto që nuk kanë kujtesë. Ai njeri që mbijetoi torturën dyzet vjeçare është babai im, poeti maqedonas, Jovan Koteski.

Lutja e pranuar

Dhe tani sërisht filloi ajo politesa e ndyrë e neveritshme, njëri pas K-së ia kaloi thikën tjetrit, ndërsa ky, sërisht përmes K-së ia kthente atij. K-ja tashmë e dinte saktësisht se detyra e tij do të ishte ai ta kapte thikën, ndërsa kalonte dorë më dorë, lëkundej nga mendimi që të shpohej vetë ai.
Kafka

Babai im e mori në dorë dosjen në nëntor të vitit 2000. Të gjitë ata që i morën dosjet në atë vit, e dinin se duhej të plotësonin një formular. Në atë formular qëndron paragrafi: “Për të mbrojtur të dhënat dhe informacionet e jetës private dhe familjare pranoj që e gjithë përmbajtja e dosjes të mbetet e fshehtë deri në (100 vjet nga lindja ime, ndërsa në rastin e tim eti është administruar-shënimi im) vitin 2032 dhe atëhere, nuk asgjësohet por i kalohet Arkivit të Republikës së Maqedonisë në ruajtje”. Kur do ta nënshkruani këtë formular pason fjalia e fundit cinike. Në të shkruhet se lutja “pranohet”.

Shikoni, gjëja më e tmershme në dosjen policore të babait nuk qëndronte vetëm në faktin se ai kishte jetuar një jetë pa e ditur se policia kishte patur fytyrën e shokëve të tij më të ngushtë . Tmerri qëndronte edhe tek një agjenturë më e lartë në emër të së cilës bota e tij bëhet edhe më e ngushtë se bota e ngushtë e heronjve antikë, të cilët i drejtohen qiellit me klithmën “Po durojmë padrejtësi”.Njeriu grek vuante një ndëshkim të tmerrshëm, i cili i erdhi, jo për faj të tij dhe kur ai kërkon të kuptojë në emër të cilës agjenture të lartë po vuan, toka dhe qielli do të përmbysen vetëm e vetëm që ai të mund ta shikojë. Kur Edipi kërkon të di çfarë ka ndodhur në të kaluarën e tij , menjëherë në aktin pasues vjen dëshmitari.

Im atë priti 40 vjet të tërë për të parë . Dhe kur plot frikë ai qëndroi para derës së UDB-së5 , para derës së asaj instance, e cila gjithë jetën kishte ekzistuar në kurriz të tij , me ngushëllimin e fundit se do t’i jepej mundësia të shikojë, atëherë shërbimet e UDB-së e detyruan të bëjë një kërkesë me lutjen që kurrë të mos plotësohët shpresa e tij e fundit. Im atë duhej të mbushte një formular ku të kërkonte që të mbetet përgjithmonë e mbyllur ajo në emër të së cilës ai kishte vuajtur. Ai bëri një lutje që të merrte dosjen e tij në dorë në vitin 2032, ndërkohë që me “ vullnetin e tij të lirë” të linte amanet nëse se duan mund ta djegin dosien e tij . Babai donte të bindej se nuk ishte i çmendur kur thoshte se gjithë jetën e kanë ndjekur. Por në fakt ai donte të shihte në të mirën e kujt kishte qenë e gjithë kjo. Por duhej vetëm të lexonte se lutja e tij të mos shihte kurrë zgjidhjen e tragjedisë së jetës së tij – “pranohet!”.

Në momente të rralla humori babai e quante dosjen e tij “ biografia e shokëve “. Ishte ky një humor donkishotesk. Në fillim qesh, pastaj bën një buzëqeshje të shtirur dhe në fund kupton se qesh nga dhimbja. Është ky humori i njeriut që ka vuajtur burgimin duke qenë i pafajshëm. Me dokumentin e rehabilitimit, pasi ta merrni, mund të bëni një fotografi. Mund të jesh poeti më i mirë i një vendi, ke lindur vetëm ti këndosh bukurisë tij, zërit të tij të mrekullueshëm, ti këndosh tokës së saj . Mund të kesh shkruar poezinë më të bukur për dashurinë e pajetuar të një brezi . “ Aha”, por ajo nuk do të lexohet kurrë sepse për këta llosha të diskutueshme janë edhe flokët e Anës. Pasi ke mbijetuar shkatërrimin e kohës tënde, gjatë së cilës kolegët e tu po shkruanin biografinë tënde pa ua kërkuar , ajo që të mbetet është të jetosh çdo ditë të mbetur nga jeta jote realitetin kafkian të së përditëshmes udbashiane. Dhe deri në fund të vetmisë tënde në këtë tokë të përsërisësh vargjet ; “O miqtë e mi, nuk ka miq !” Megjithatë im atë vërtetë iku duke i falur të gjithë. Pak ditë para vdekjes babai më tha se “ po ikën në shtëpi “.

Fëmijë për krahasim

Prindërit janë mburoja midis nesh dhe vdekjes. Si artistë të mëdhenj ata nuk kanë të drejtën e moshës....prindërit janë gjëja më intime që posedojmë, por kur intimiteti familjar do të zgjerohet deri në përmasat e skandalit ndërkombëtar, siç ndodhi me ne, padashur fillojnë arsyetimet, kujtimet, analizat....
Erofeev

Ishte e shtunë kur vendosa të merrem me këtë temë. Kanë kaluar pesë vjet prej asaj kohe. Erdha me djalin (e sapolindur) tek nëna ime, nëna ime ishte e trishtuar. “Po flasin për ‘Mbrëmjet e Strugës’, asnjëri se kujton babain tënd”. Me siguri u zura me të, nga dhimbja më zuri gjumi . Koha e fëmijërisë sime mbeti në zi, ajo asnjëherë nuk u ndryshua, por rrija si e fryrë, sikur çdo gjë varej prej meje, e dija për çfarë fliste nëna. Të gjithë kanë patur një jetë të lidhur me botën, me veten, me një të shkuar, së cilës i gëzoheshin. Vetëm në derën e nënës sime nuk trokiste as e shkuara, as bota, as edhe ne vetë, kur trokisnim, trokisnim sikur të ishim të flakur nga kjo botë.

Filozofia e sakrificës, e cila ishte e përhapur në fund të shekullit XX-të, nuk ishte e panjohur për mua. A u rreshtova edhe unë në këtë histori familjare në atë listë të gjatë? Të mundja të shtrëngoja dhëmbët edhe të them ishte ç’ishte, thjesht, ec përpara? A thua jetoja me traumën, sepse ajo u bë një pjesë kaq e madhe e imja, apo pikërisht e kundërta, pasi ajo kurrë nuk arriti vërtet të hyjë brenda meje, sepse më mbeti një temë e huaj dhe ndërkohë që të tjerët kalbeshin nëpër burgje, unë isha fëmija i pesave6 fëmija “normal”, a nuk është edhe ky libër një përsëritje?

Si përfundim, ku qëndronte brezi im? Çfarë ndodhi me brezin tim të ndërmjetëm, me ne, të cilët ishim fëmijët e atij sistemi, ndërsa prindërit tanë të këtij? Sa të rëndësishme ishin veprimet tona, duke kërkuar ballafaqim me të kaluarën, sa sistematike, të drejta dhe qytetare, njëkohësisht me rëndësi historike ishin ato dhe, ku ndodhte se e kalonin kufirin e mosdëmtimit?

Vëllai im shkoi ushtar dy ditë para se të arrestonin babanë; në mëngjesin e futjes së tij në burg, unë fillova shkollën e mesme. Për disa ditë u ndamë në tre institucione, ndërkohë mjaft të ngjashëm. Kur vëllai u lirua nga ushtria filloi një jetë drejt së ardhmes. Në një takim, vite më vonë bisedova me një psikolog për dilemën time të parë të burgut, ai më bëri pyetjen: “Babai yt ka dalë nga burgu në vitin 1987, vëllai në vitin 1986, po ti kur dole?”.

Ka një letër të vëllait, ia dorëzova Arkivit të Shtetit. E shkroi në kohën e shërbimit ushtarak në JNA7 në Mostar, të Bosnjës, dërguar babait që ‘shërbente’ në Shkup të Maqedonisë. Atje fëmijëria jonë përmblidhet në një fjali, se vëllai im nuk e paska dashur dhe e paska përbuzur baban, por që i ka kuptuar të gjitha pas burgosjes se tij.

Sot, vëllai im është bërë një fizikant që merret me kërkime atomike, jeton jashtë Maqedonisë. Një mëngjes ( kishte ardhur me leje , ishte 18 vjeç, kurse unë 14) ndërkohë që babai kishte rënë në burg, vëllai më tha se ka ardhur koha të ndahemi, se nuk do të më rekomandojë më libra për të lexuar dhe filma që mund të shikoj. Tha se shkon në rrugën e tij dhe që edhe unë duhet të zgjedh timen. Nuk kisha zgjidhje, isha dakord. Sot, vëllai im merret me kërkime në fushën e atomit në institutet e Beogradit dhe të Berlinit. Për të fizika dhe metafizika janë të lidhura ngushtë. Ai interesohet për jetën shpirtërore dhe për të ardhmen dhe jo për të kaluarën. Unë mbeta disi e lidhur me temat e familjes. Burgu na katapultonte në dy drejtime të ndryshme, në mënyrë të pavetëdijshme zgjodhëm të vazhdojmë dy temat e babait tim.

Në letrën e dikurshme për babain, vëllai sqaronte gjithçka, që unë kurrë nuk arrita ta kuptoj, megjithëse më vonë jetova intensivisht me të. Nëse im atë nuk do të binte në burg, me siguri do t’ia kisha kushtuar jetën time diçkaje tjetër. Atëhere, edhe një letër zemërimi, nuk mund t’i shkruaja babait në burg. I shkruaja sa pesa merrja, sa më mungonte dhe si e kishim kaluar Vitin e Ri. Të tilla ishin letrat e mija. Më vonë kujtova Frojdin: “Kush nuk fluturon, zvarritet”.

Ja edhe letra e tim vëllai. Gjithçka që gjithnjë kam dashur t’ia them babait dhe nuk ia thashë asnjëherë ishte në këto rreshta:

“I dashur baba! Kaloi një kohë e gjatë që nuk jemi parë, prandaj vendosa të shkruaj këtë letër. Unë kam dashur të shkruaj shumë më parë, por prita të vi me leje, të përpiqem të të takoj dhe bashkë të diskutojmë gjithë këtë punë. Unë vërtet erdha në Shkup (nga 21.03-25.03), por përpjekja ime të hy në kontakt me ty, ishte e pasuksesshme. Sidoqoftë, s’më mbetet asgjë tjetër përveçse të provoj me fjalë, të të shpjegoj mendimin tim për gjithë situatën e sapokrijuar.
Që para pesë, gjashtë muajve, kur e mora vesh për herë të parë, isha i bindur në pafajësinë tënde, duke njohur mirë idetë dhe qëndrimet e tua (prej të cilave ndërkohë në një masë të madhe i kisha përqafuar edhe unë) dija se gjithçka që ti kishe bërë ka qenë me një qëllim thellësisht human dhe njerëzor. Isha i sigurt se nuk ke qenë i ngatërruar në asnjë veprim terrorist, duke ditur se asnjëherë nuk e ke pranuar heroizmin, as si mjet, as si qëllim.Çdo njeri tani sadopak do të konfirmojë se ti je udhëhequr në jetë nga një qëllim i vetëm-të ndihmosh tjetrin, madje nëse duhet, të japësh edhe kafshatën e fundit. Gjithkush, që sadopak ka jetuar pranë teje, mund të pranojë se lufta jote e pandërprerë kundër padrejtësisë jo vetëm se të çon në burg, por të ngre në piedestalin më të lartë. Nuk di. Ndoshta dikush mendon ndryshe, por di se gjithkush që mendon kështu mundet vetëm të të ketë zili. Shumë njerëz të lartë nga shpirti dhe vepra e tyre kanë rënë në burg. Tregoju të gjithë poltronmëdhenjve, mediokrëve dhe dashakeqasve, se, edhe atje di të jesh i madh. Ja edhe shansi të shikosh kush kanë qenë dhe kush janë akoma miqtë e tu të vërtetë.
Duke ardhur në Shkup, unë jo vetëm se nuk u tremba, madje ndodhi e kundërta, isha krenar se jam yt bir. Nuk më interesonte fare çfarë mendojnë njerëzit, madje pashë se shumëkush më mbështeste plotësisht dhe se edhe ata ishin gjithashtu të bindur në qëndrimet e tua të drejta. Nëqoftëse midis tyre kishte edhe ndonjë shikim keqardhjeje, apo dashakeqe, unë për vete bëhesha edhe më i fortë duke i parë ata.
Tani duhet ta pranoj se ndoshta në disa periudha të së kaluarës unë dhe ti nuk ishim plotësisht dakord. Por kjo ka qenë vetëm sepse nuk isha i aftë të kuptoj se një baba jo gjithmonë mund të interesohet nga drejtimi i një veture, blerja e mobiljeve për shtëpi, ose të mos përmend veprime të tjera, që bëjnë baballarët e zakonshëm. Aq mq tepër se tani e kuptoj sa e parëndësishme është kush, sa para fiton, apo kush ka humbur shikimin e një filmi, apo të një ndeshjeje në televizion. Njëmijë herë është më i rëndësishëm zhvillimi shpirtëror i njeriut, për të cilin ti ke synuar, ndërsa qindra të tjerë e injorojnë. Tani unë e shoh se ti, babi nuk je i zakonshëm, por qëndron mbi të zakonshmit.
Çfarë të të them tjetër? Tani edhe unë edhe ti jemi në të njëjtën situatë. E di sesi ndihesh, por besoj se do të durosh. Jam thellësisht i bindur se njerëzit do ta kuptojnë gabimin dhe sigurisht gjithçka do të mbarojë shumë më shpejt sesa e pret. Qëndrimin tënd atje, unë e shoh jo si dënim, por si një test para të cilit jeta vendos njeriun. Qëndro, sepse jo çdokujt i jepet një rast i tillë. Shumica e kalon jetën në atmosferën hermetike, gjysmëtransparente të shtëpisë së vet, e cila nuk u lejon të shikojnë më larg se hunda e vet. Ata kurrë nuk kanë për të gjetur qëllimin e tyre të vërtetë, as kuptimin e jetës. Një qëllim të vërtetë kanë vetëm njerëz si ty, krijuesit dhe ideologët, ata që janë të prirur drejt universales, duke harruar interesat vetjake. Karrieristët, ata që dridhen dhe ruajnë egon e tyre nuk janë të denjë as për përbuzje. Ndoshta një ditë edhe ata do ta kuptojnë se njerëzimi nuk do më ndarje dhe copëtime, qoftë fizike dhe qoftë shpirtërore. Ndoshta do ta kuptojnë se duke ngritur veten do të ndihmojnë për të mirën e përditshme të njerëzimit. Disa tashmë janë të vetëdijshëm për këtë, disa e ndiejnë superioritetin në përfaqësimin e tyre-siç ka thënë Tagor.
E di se i tillë je edhe ti dhe unë ndaj idetë e tua. Nëqoftëse për këto ide shkohet në burg, atëhere edhe vendi im është atje. Në fund të fundit e gjithë jeta është vetëm një lojë, një iluzion dhe një hiç në krahasim me përjetësinë që na pret!
Vasili
___________________________________________
1 Policia e fshehtë e Jugosllavisë (shënim përkthyesit).
2 Judith Butler, autori i librit Antigone’s Claim:Kinship Betëeen Life and Death, Neë York:Columbia University Press, 2000, fq.24 (shënim i autores).
3 Dedinje (Beograd), Pantovçak (Zagreb) dhe Vodno (Shkup) ishin vendbanime të njohura të nomenklaturës komuniste në Serbi, Kroaci dhe Maqedoni (shënim i autores).
4 Viktor Jerofejev, Dobri Stalin, Beograd: Gjeopoetika, 2005, fq 50 (shënim i autores).
5 UDB- shërbimi I sigurimit të Shtetit në Maqedoninë e sotme.
6 Nota maksimale në sistemin shkollor në Maqedoni.
7 Ushtria Popullore Jugosllave.

 

Post a Comment